Një bimë e thjeshtë kacavjerrëse është kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për qindra gra dhe fermerë në Indi, ndërsa kërkesa globale për produkte natyrale vazhdon të rritet. Lulja “butterfly pea”, e njohur lokalisht si “aparajita”, dikur përdorej vetëm për zbukurim, por sot po fiton vlerë të madhe ekonomike falë përdorimit si çaj dhe si ngjyrues natyral ushqimor.
Nilam Brahma, nga shteti Assam, tregon se potencialin e saj e zbuloi rreth dy vite më parë, kur pa gra të tjera që fitonin para nga shitja e luleve të thara. “Herën e parë fitova rreth 50 dollarë dhe kjo më dha besim se mund të ndërtoja të ardhmen time,” thotë ajo.
Rritja e interesit për produkte natyrale, si dhe kufizimet ndaj ngjyruesve sintetikë në tregjet perëndimore, kanë rritur kërkesën për këtë lule. Në vitin 2021, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi përdorimin e saj si aditiv ushqimor, ndërsa në Evropë ajo klasifikohet ende si “ushqim i ri”, që kërkon autorizime shtesë. Sipërmarrësit indianë po investojnë fort në këtë sektor. Kompani si Blue Tea dhe THS Impex bashkëpunojnë drejtpërdrejt me fermerët për të përmirësuar cilësinë dhe për të ndërtuar zinxhirë të qëndrueshëm furnizimi, ku rolin kryesor e luajnë gratë rurale.
Megjithëse sfidat mbeten si mungesa e një tregu të strukturuar dhe standardeve të çmimeve numri i fermerëve të përfshirë po rritet dhe të ardhurat në zonat rurale po përmirësohen. Përveç vlerës ekonomike, studime paraprake sugjerojnë se çaji nga kjo lule mund të ketë përfitime shëndetësore, megjithatë ekspertët theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme. Sot, “butterfly pea” po shihet si një shembull i qartë se si bujqësia tradicionale dhe sipërmarrja mund të ndërthuren për të krijuar mundësi të reja ekonomike veçanërisht për gratë në zonat rurale.

