Arbana Osmani ka reaguar së fundmi ndaj komenteve që qarkullojnë shpesh në rrjetet sociale lidhur me marrëdhënien e saj me Top Channel. Moderatorja u shpreh se sa herë hapet një diskutim për “Big Brother” apo për televizionin ku ka punuar për vite me radhë, lind gjithmonë i njëjti debat, ideja se ajo nuk flet mirë për ish-vendin e saj të punës.
Sipas Arbanës , ky perceptim nuk është i vërtetë dhe ajo ka dashur ta sqarojë njëherë e mirë këtë çështje.
“Sa herë që diskutohet për ‘Big Brother’ ose për ‘Top Channel’, krijohet një lloj tendence që thuhet: ‘Ka punuar aty dhe nuk flet mirë’. Dua të sqaroj vetëm një gjë, kurrë në jetën time nuk kam folur, nuk flas dhe nuk do të flas keq për Top Channel,” u shpreh ajo.
Moderatorja theksoi se nuk ka asnjë arsye për të folur negativisht për televizionin ku ndërtoi një pjesë të madhe të karrierës së saj dhe shtoi se i vjen keq nëse disa njerëz presin një qëndrim të tillë prej saj. “Ndjesë për këdo që pret diçka tjetër, por kjo gjë nuk do të ndodhë,” përfundoi ajo.

