Alba ka vendosur të lërë shtëpinë e “Big Brother VIP Kosova”, pas një përplasjeje të fortë me produksionin e spektaklit. Vendimi i saj erdhi pas një qëndrimi të gjatë të shoqëruar me tensione të vazhdueshme dhe akuza publike ndaj mënyrës se si po pasqyrohej në klipet e transmetuara.
Ish-banorja shprehu hapur pakënaqësinë e saj, duke akuzuar produksionin se po manipulonte kronologjinë e ngjarjeve dhe se po i nxirrte personazhet në një dritë të gabuar. Sipas saj, mënyra e montazhit nuk pasqyronte realitetin e asaj që ndodhte brenda shtëpisë.
Situata u tensionua edhe më shumë kur moderatorja Jonida Vokshi iu drejtua me fjalët: “Aty e ke derën nëse dëshiron”. Kjo deklaratë duket se ishte pika kulmore që e shtyu Albën të merrte vendimin për t’u larguar nga loja.
Largimi i saj ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku publiku është ndarë mes atyre që e mbështesin vendimin e saj dhe atyre që e shohin këtë veprim si dorëzim përballë presionit të lojës.

