Moderatorja e njohur Arbana Osmani ka hapur zemrën në podcast-in e saj “Mirëmbrëma yje”, duke folur për ndjenjat e saj të sinqerta gjatë shtatzënisë dhe për sfidat emocionale që shumë gra përjetojnë si nënë.
Arbana tregoi se lajmi i shtatzënisë me vajzën e saj të vogël e kishte goditur fillimisht, pasi nuk ndihej e përgatitur për një fëmijë tjetër. “Më ka ardhur Zoi në jetën time në një moment kur isha në kulmin e punës dhe shumë ngjarjeve që më kishin lodhur emocionalisht. Kisha planifikuar udhëtime, projekte dhe disa ditë qejfi me Edin… Dhe papritur zbuloj që jam shtatzënë. Nuk e prisja dhe e kam pranuar si një shok,” rrëfeu Arbana.
Ajo shtoi se ndjenja e fajit ishte e natyrshme: “E kam dënuar veten që u mërzita, por më erdhi shumë natyrshëm. Nuk isha gati për një fëmijë tjetër aq shpejt. Një nga pyetjet që më shqetësonin ishte: ‘Si do t’ja bëj me punën, pasionet, dy fëmijët e tjerë dhe të gjitha projektet e tjera që kisha nisur?’”
Megjithatë, Arbana theksoi se gjithçka ka shkuar më mirë sesa kishte menduar. “Pastaj për çudi, u bënë të gjitha. Bëhen të gjitha punët pastaj,” përfundoi ajo, duke dhënë një mesazh optimizmi dhe mbështetjeje për të gjitha nënat që përballen me sfida të ngjashme.

