Bashkëpunimi më i ri mes këngëtarit bullgar Azis dhe Tsvetelina Yaneva ka ndezur debat edhe në publikun shqiptar. Dyshja publikuan këngën Havte, një projekt me ritme tipike ballkanike dhe videoklip të realizuar në ambientet e një aeroporti.
Ajo që ka tërhequr menjëherë vëmendjen është linja melodike, pasi shumë dëgjues kanë vënë re ngjashmëri të fortë me hitin e njohur Valle Kosovare. Sipas reagimeve në rrjete sociale, sidomos refreni duket pothuajse identik, duke ngritur pikëpyetje mbi origjinalitetin e projektit të ri. Debati vjen në një moment kur “Valle Kosovare” po përjetonte një rikthim të fuqishëm ndërkombëtar, pasi ishte bërë virale në TikTok dhe përdorej në miliona video nga përdorues në mbarë botën.
Megjithatë, në kreditet zyrtare të këngës së re nuk përmendet asnjë referencë për autorët e hitit shqiptar, çka ka shtuar edhe më shumë diskutimet online. Për momentin, publiku mbetet i ndarë mes dy qëndrimeve: disa e shohin si frymëzim muzikor, ndërsa të tjerë si një kopjim të drejtpërdrejtë të një prej këngëve ikonike shqiptare.

