Një peticion online është iniciuar për të kërkuar që Plisi shqiptar, një simbol mijëvjeçar i identitetit tonë kombëtar, të përfshihet në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit të UNESCO-s. Deri tani, mijëra qytetarë i janë bashkuar nismës duke firmosur për njohjen ndërkombëtare të këtij artefakti unik.
Kapuçi prej leshi të bardhë, i punuar me dorë dhe me mjeshtëri, nuk përfaqëson thjesht një element veshjeje tradicionale, por mbart histori, traditë dhe vazhdimësi kulturore ndër shekuj. I njohur me emra të ndryshëm sipas krahinave, si qeleshe, kësulë apo qylaf plisi mbetet një nga simbolet më të forta të identitetit shqiptar. Në një kohë kur globalizimi rrezikon të zbehë veçantitë kulturore, kjo nismë synon që ai të mos mbetet vetëm pjesë e muzeve apo fotografive të vjetra, por të fitojë status të mbrojtur ndërkombëtar.
Njohja nga UNESCO do të ndihmonte jo vetëm në ruajtjen e teknikës tradicionale të punimit, por edhe në promovimin e turizmit kulturor në trojet shqiptare. Edhe pse në fazat e para, peticioni ka arritur deri më tani rreth 8 mijë firma, duke treguar mbështetje të gjerë për mbrojtjen e këtij simboli historik.

