Paraqitja e Zendaya në ceremoninë e Academy Awards ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale, pasi fansat vunë re një detaj që nuk kaloi pa u komentuar, një unazë që dukej si unazë martese. Aktorja, e njohur për rolin e saj në filmat Spider-Man, u ngjit në skenën e Dolby Theatre për të prezantuar çmimin për regjisorin më të mirë së bashku me Robert Pattinson. Ajo u shfaq elegante me një fustan kafe një-sup dhe bizhuteri luksoze, por vëmendjen më të madhe e mori kombinimi i unazave në dorën e saj.
Pranë unazës së fejesës, fansat identifikuan edhe një unazë ari, e cila sipas tyre mund të jetë një unazë martese, duke shtuar dyshimet për një martesë të fshehtë me Tom Holland. Spekulimet u shtuan edhe më shumë pas një deklarate nga stilisti i saj, Law Roach, i cili gjatë një eventi la të kuptohej se çifti mund të jetë martuar larg vëmendjes së publikut. Kjo deklaratë u përhap me shpejtësi dhe ndezi diskutime të shumta online.
Megjithatë, deri më tani, as Zendaya dhe as Tom Holland nuk kanë bërë një konfirmim zyrtar. Fansat vazhdojnë të analizojnë çdo dalje publike të tyre, duke u përpjekur të zbulojnë të vërtetën pas këtij misteri që ka pushtuar Hollywood-in.


