Shumë përdorues në rrjetet sociale kanë bërë t krahasime mes filmit satirik The Menu dhe historive që lidhen me restorantin e famshëm Noma. Filmi, me protagonistë Ralph Fiennes dhe Anya Taylor-Joy, tregon historinë e një restoranti luksoz ku një shef i famshëm organizon një darkë ekskluzive për disa klientë të pasur. Gjatë rrjedhës së filmit shfaqen edhe anët më të errëta të industrisë së gastronomisë elitare, si presioni ekstrem në kuzhinë, perfeksionizmi i tepruar dhe sakrificat që bëjnë kuzhinierët për të arritur standardet më të larta.
Këto elemente kanë bërë që shumë njerëz të mendojnë për realitetin e kuzhinave të restoranteve të nivelit më të lartë, si Noma, i themeluar në Kopenhagen nga shefi me origjinë shqiptare Rene Rexhepi. Për vite me radhë, Noma është konsideruar një nga restorantet më të mira në botë dhe ka dominuar listat ndërkombëtare të gastronomisë.
Megjithatë, restoranti është përballur edhe me kritika. Sipas një raportimi të publikuar nga The New York Times, dhjetëra ish-punonjës kanë folur për kushtet e vështira të punës në kuzhinë, duke përmendur orë shumë të gjata pune, presion të madh dhe sjellje të ashpër nga drejtuesit. Disa prej tyre kanë akuzuar madje Rexhepin për abuzim verbal dhe fizike, si edhe incidente të rënda në ambientin e punës. Një ish-shefe kuzhine, e identifikuar vetëm si Alessia, u shpreh se “të shkoje në punë ndihej si të shkoje në luftë”. Raporti përmend gjithashtu incidente të tjera të pretenduara nga ish-punonjës që përshkruajnë një atmosferë shumë të tensionuar në kuzhinë. Siç janë shpulla, grushte apo edhe incidente të tjera më të rënda, ofendime etj. Vetë Redzepi ka reaguar për këto akuza duke pranuar se në të kaluarën ka pasur shpërthime zemërimi dhe sjellje të papërshtatshme në ambientin e punës, për të cilat ka kërkuar falje publike dhe ka thënë se ka punuar për të ndryshuar.
Pikërisht këto histori dhe rrëfime nga ish-punonjësit kanë bërë që shumë komentues në internet të shohin ngjashmëri simbolike mes realitetit të disa kuzhinave prestigjioze dhe atmosferës së tensionuar që shfaqet në filmin “The Menu”. Edhe pse filmi nuk bazohet drejtpërdrejt në historinë e Nomas, debatet në rrjet tregojnë se publiku shpesh e lidh atë me realitetin e industrisë së gastronomisë elitare, ku pas luksit dhe famës fshihen presioni dhe sakrificat e mëdha të stafit.

