Polonia po përgatitet të paraqesë një projektligj të ri që synon të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Arsimit, Barbara Nowacka, në një intervistë për Bloomberg News. Sipas saj, partia në pushtet, Platforma Qytetare, do ta paraqesë projektligjin, i cili parashikon gjoba për platformat që nuk verifikojnë moshën e përdoruesve dhe lejojnë aksesin e të miturve. Nëse miratohet, ligji mund të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027.
Ministrja theksoi se shqetësimi kryesor lidhet me shëndetin mendor dhe zhvillimin intelektual të fëmijëve, duke argumentuar se ekspozimi i hershëm ndaj mediave sociale mund të ketë pasoja negative. Polonia nuk është e vetmja që po shqyrton masa të tilla. Vende si Danimarka, Greqia, Franca, Spanja dhe Britania po diskutojnë kufizime të ngjashme, ndërsa Australia tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.
Një nismë e tillë mund të vendosë Varshavën përballë gjigantëve amerikanë të teknologjisë si Meta dhe X (në pronësi të Elon Musk), të cilët në të kaluarën kanë shprehur rezerva ndaj kufizimeve të forta ligjore. Debati mbetet i hapur, a janë këto masa një mbrojtje e nevojshme për të miturit apo një kufizim i tepërt në epokën digjitale?

