Së fundmi, duket se është krijuar një trend mes disa këngëtarëve shqiptarë,publikimi i projekteve muzikore që interpretohen si “diss” ndaj ish-partnereve, madje nënave të fëmijëve të tyre. Vetëm gjatë këtij muaji janë publikuar dy këngë nga artistë të njohur, të cilat publiku i ka lexuar si mesazhe të drejtpërdrejta ndaj së shkuarës së tyre.
I pari ishte Mozzik, i cili në këngën e tij më të re përmendi ish-partneren Loredana Zefi dhe partnerin e saj aktual. Vargjet u interpretuan si një “diss” i hapur, duke ndezur menjëherë rrjetin. Vetë Loredana reagoi publikisht, duke treguar se situata e ka prekur jo vetëm atë, por edhe vajzën që ata kanë bashkë. Nuk është hera e parë që mes dy artistëve ka thumbime të tërthorta përmes muzikës.
Nga ana tjetër, edhe Bes Kallaku publikoi projektin e tij “Rrëfim”, i cili po ashtu u interpretua si një mesazh ndaj ish-bashkëshortes, Xhensila Myrtezaj. Një prej vargjeve më të komentuara ishte shprehja “e dimë kush është thëngjilli”, që shumë ndjekës e lidhën drejtpërdrejt me raportin e tyre të mëparshëm. Kjo situatë ngre një pyetje më të thellë, a është muzika thjesht formë arti dhe shprehje personale, apo kur përfshihen figura publike dhe sidomos fëmijë, kufiri bëhet më i ndjeshëm? Sigurisht, arti ka qenë gjithmonë një mënyrë për të shprehur dhimbjen, zhgënjimin apo përvojat personale. Por kur në mes janë familje të krijuara dhe fëmijë që do të rriten duke dëgjuar këto projekte, diskutimi merr një tjetër dimension.
Pa hyrë në marrëdhëniet e tyre apo në arsyet e ndarjes, një gjë mbetet e qartë: ato janë nënat e fëmijëve të tyre. Me kalimin e viteve, këto këngë do të mbeten online, do të dëgjohen, do të analizohen. Dhe lind natyrshëm pyetja, sa e lehtë do të jetë për një fëmijë të dëgjojë babain e tij të flasë në atë mënyrë për nënën? Ndoshta liria artistike është e padiskutueshme, por çdo liri ka edhe kufijtë e saj. Dhe kur bëhet fjalë për familjen dhe fëmijët, ndoshta maturia vlen më shumë se çdo varg që bëhet viral.

