Një trend i shëndetshëm si konsumimi i matcha-s mund të kthehet në rrezik nëse teprohet. Sipas mjekëve, pirja e sasive të mëdha të kësaj pijeje mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, përfshirë dëmtime të mëlçisë dhe zverdhje të lëkurës.
Rasti i fundit i bërë viral tregon për një grua që konsumonte rreth pesë filxhanë matcha në ditë dhe filloi të shfaqte simptoma si zverdhje e lëkurës, një shenjë e verdhëzës që lidhet me probleme në funksionin e mëlçisë.
Ekspertët shpjegojnë se përbërësit e matcha-s, si katekinat, taninet dhe polifenolet, kanë përfitime të shumta kur konsumohen me moderim. Por në sasi të larta, ato mund të mbingarkojnë organizmin, sidomos nëse produkti është i cilësisë së ulët.
Ky rast shërben si një kujtesë se edhe zakonet më të shëndetshme kërkojnë ekuilibër. Konsumi i moderuar mbetet çelësi për të përfituar nga vlerat e matcha-s pa rrezikuar shëndetin.

