Së fundmi, në rrjetet sociale po qarkullon me shpejtësi lajmi se Instagram do të bëjë publike postimet që përdoruesit kanë ruajtur (“save”), duke shkaktuar konfuzion dhe reagime të shumta.
Sipas këtyre pretendimeve, duke filluar nga dita e nesërme, çdo postim i ruajtur mund të bëhet i dukshëm për të tjerët, çka ka ngritur shqetësime për privatësinë dhe mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me përmbajtjen. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Instagram që konfirmon një ndryshim të tillë. Funksioni “Save” në platformë ka qenë gjithmonë privat dhe përdoret për të ruajtur postime vetëm për përdorim personal.
Ekspertët e teknologjisë theksojnë se lajme të tilla shpesh janë keqinterpretime ose thjesht dezinformim që përhapet viral në rrjet. Pavarësisht kësaj, përdoruesit këshillohen të jenë gjithmonë të kujdesshëm me aktivitetin e tyre online dhe të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të platformave për ndryshime të rëndësishme.

