Aktorja e njohur turke Hande Erçel ka reaguar për herë të parë pas lajmeve që e lidhin me një hetim të gjerë për drogë në Turqi, duke sqaruar pozicionin e saj publikisht.
Emri i saj u përmend në kuadër të një operacioni të zhvilluar në Stamboll, ku disa figura të njohura janë vënë nën hetim dhe për disa prej tyre janë lëshuar edhe urdhra arresti. Pas përhapjes së lajmeve, Erçel theksoi se prej rreth një muaji ndodhet jashtë vendit për arsye studimi dhe se informacionin mbi këtë çështje e ka mësuar përmes mediave, njësoj si publiku. Aktorja u shpreh e gatshme të rikthehet në Turqi për të dhënë dëshminë e saj dhe për të bashkëpunuar me autoritetet në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Jam një person që e dua vendin tim dhe kam besim te shteti dhe drejtësia turke. Besoj se e vërteta do të dalë në pah dhe gjithçka do të sqarohet sa më shpejt.” Ndërkohë, hetimet vijojnë dhe ende nuk ka një përfundim zyrtar, ndërsa rasti ka marrë vëmendje të madhe mediatike dhe pritet të ketë zhvillime të reja në ditët në vijim.

