Gjykata Administrative e Tiranës ka vendosur të rrëzojë kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga aktorja Anila Bisha. Artistja 57-vjeçare kishte kërkuar pezullimin e përdorimit të imazhit të saj deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Armand Shkurta, i cili vendosi të mos pranojë masën e sigurimit, duke lënë në fuqi situatën aktuale deri në vendimin përfundimtar mbi themelin e padisë.
Në pretendimet e saj, Bisha argumenton se kontrata me kompaninë Aleat ishte e vlefshme deri më 31 dhjetor 2025 dhe parashikonte vetëm përdorimin e imazhit të saj për personazhin e asistentes virtuale “Diella” në platformën e-Albania. Sipas saj, nuk ka pasur asnjë marrëveshje për përdorimin e imazhit në figurën e “ministres Diella”. Përveç pezullimit, aktorja ka kërkuar edhe një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh, duke pretenduar se i është dëmtuar imazhi dhe reputacioni profesional.
Në një reagim për emisionin “Studio Live”, ajo u shpreh se do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke paralajmëruar se, nëse nuk gjen drejtësi në Shqipëri, do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut. Personazhi i “Ministres Diella” u prezantua publikisht nga Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste më 11 shtator, si pjesë e kabinetit të ri qeveritar.

