Zhvillime të reja kanë dalë në dritë nga dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA lidhur me çështjen e Jeffrey Epstein. Mes emrave të përmendur në dosje figuron edhe ai i fizikanit të ndjerë Stephen Hawking.
Mediat ndërkombëtare kanë publikuar një fotografi ku Hawking shfaqet në shoqërinë e dy vajzave të reja me bikini. Nuk është konfirmuar vendi apo konteksti i saktë i realizimit të imazhit, por raportimet sugjerojnë se mund të jetë shkrepur në ishullin Little Saint James, pronë e Epstein në Ishujt e Virgjër.

Sipas dokumenteve, Hawking ishte një nga 21 shkencëtarët e ftuar në ishull në vitin 2006. Emri i tij përmendet disa herë në dosje, por pa iu atribuar ndonjë veprim i paligjshëm. Ndërkohë, gazeta franceze Le Parisien ka publikuar imazhe nga apartamenti i Epstein në Paris, ku shihen ambiente luksoze, përfshirë një tavolinë masazhi dhe fotografi provokuese në mure. Sipas prokurorëve francezë, apartamenti në Avenue Foch dyshohet të jetë përdorur për aktivitete të paligjshme.

Fotografitë lidhen me hetimet e vitit 2019, pas akuzave për përdhunim ndaj Jean-Luc Brunel, agjent mode dhe bashkëpunëtor i vjetër i Epstein. Hetimet mbi rrjetin e tij vijojnë të hedhin dritë mbi lidhjet dhe aktivitetet e personazheve të përfshirë në këtë çështje.

