Aktori 42-vjeçar ka treguar së fundmi pse vendosi të largohej nga Los Angeles dhe të rikthehej në Australi me familjen e tij, duke pranuar se jeta në Hollywood nuk po i sillte më kënaqësi.
Në një intervistë në podkastin SmartLess, Hemsworth u shpreh se periudha kur lindën djemtë e tij ishte vendimtare për këtë zgjedhje. Sipas tij, familja ishte vendosur në Los Angeles, por realiteti i përditshëm, mungesa e xhirimeve në qytet dhe prania e vazhdueshme e paparacëve, e bëri të reflektonte për një ndryshim. Aktori, i martuar me Elsa Pataky, me të cilën ka tre fëmijë, vendosi të zhvendoset në një fermë të madhe në Australi, duke i ofruar familjes më shumë hapësirë dhe privatësi. Ai e përshkruan jetën atje si një “pushim të përhershëm”, ku përditshmëria përfshin natyrën, kuajt, motorët dhe surfing-un.
I rritur rreth 20 minuta larg Melburnit, së bashku me vëllezërit e tij Liam Hemsworth dhe Luke Hemsworth, Chris kujton se fëmijëria në natyrë, larg qytetit, ndikoi edhe në lindjen e pasionit për aktrim. Aventurat dhe lojërat ku interpretonin personazhe të ndryshëm, sipas tij, ishin hapat e parë drejt karrierës që do të ndërtonte më vonë. Sot, larg zhurmës së Hollywood-it, Hemsworth duket se ka gjetur ekuilibrin mes suksesit profesional dhe qetësisë familjare.

