Fati ligjor i këngëtarit Luiz Ejlli ka marrë një zhvillim të ri, pasi Prokuroria e Apelit ka vendosur të ankimojë vendimin që e shpalli të pafajshëm dhe ta dërgojë çështjen në Gjykata e Lartë.
Edhe pse më 8 maj 2025 Gjykata e Apelit rrëzoi dënimin me burg dhe e shpalli të pafajshëm, organi i akuzës nuk është tërhequr, duke kërkuar rishqyrtim në shkallën më të lartë të gjyqësorit. Kjo do të thotë se beteja ligjore e artistit mbetet ende e hapur. Çështja lidhet me një vendim të mëparshëm të Shkallës së Parë, e cila e kishte dënuar Ejllin me një vit burg për falsifikim dokumentesh, nën dyshimin se kishte përdorur vula për veprime ligjore të paautorizuara në një periudhë kur nuk ushtronte profesionin e noterit. Sipas procedurës, relator i dosjes në Gjykatën e Lartë është caktuar gjyqtari Sokol Binaj, i cili do të shqyrtojë argumentet e palëve.
Në dosje përmendet edhe emri i Fatmir Avdurramani, person që dyshohet se ka përfituar nga veprimet dhe që rezulton i dënuar më parë jashtë vendit për vepra penale. Prokuroria synon të provojë pikërisht këtë lidhje, duke kërkuar rikthimin e dënimit ndaj këngëtarit. Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të jetë përcaktues për përfundimin e kësaj sage ligjore.

