Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtëpinë e këngëtares së famshme Rihanna në Beverly Hills, ndërsa artistja ka zbuluar detaje dramatike nga momentet e frikshme që përjetoi gjatë një sulmi me armë zjarri në fillim të muajit mars. Sipas dëshmisë së saj, ajo ndodhej në një rimorkio në oborrin e rezidencës në Los Angeles kur dëgjoi disa shpërthime të forta.
“Fillimisht nuk e kuptova çfarë po ndodhte, por shumë shpejt e kuptova që ishin të shtëna dhe që ishim në vijën e zjarrit,” – rrëfeu ajo. Në panik, Rihanna zgjoi menjëherë partnerin e saj, A$AP Rocky, duke bërtitur: “po na qëllojnë”, dhe më pas u shtrinë në tokë për t’u mbrojtur nga plumbat. Situata bëhet edhe më alarmante nga fakti se në shtëpi ndodheshin edhe tre fëmijët e çiftit, nëna e këngëtares dhe disa anëtarë të stafit. Pas incidentit, Rihanna ka shtuar masat e sigurisë dhe raportohet se është larguar përkohësisht nga rezidenca e saj. Sipas dokumenteve gjyqësore, artistja kishte marrë më parë kërcënime me vdekje në rrjetet sociale, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse ato lidhen drejtpërdrejt me sulmin.
E dyshuara për ngjarjen është Ivana Lisette Ortiz, e cila përballet me akuza të rënda, përfshirë disa raste të sulmit me armë dhe të shtënave në zonë banimi. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta dhe hetimet vijojnë, ndërsa rrëfimi i Rihannës mbetet një nga dëshmitë më tronditëse për rrezikun që mund të ndodhë edhe në mesin e luksit dhe sigurisë së Hollywood-it.

