Një studim i ri shkencor ka zbuluar se afro 40% e rasteve të reja të kancerit në mbarë botën lidhen me faktorë që mund të kontrollohen ose shmangen, duke e bërë parandalimin një armë kyçe në luftën kundër kësaj sëmundjeje.
Hulumtimi, i publikuar në Nature Medicine dhe i realizuar në prag të Ditës Botërore të Kancerit, analizoi 36 lloje kanceri në 185 vende, bazuar në të dhënat globale të vitit 2022. Nga 18.7 milionë raste të reja të diagnostikuara, rreth 7.1 milionë u lidhën drejtpërdrejt me shkaqe të parandalueshme.
Sipas studiuesve, duhani mbetet faktori më i madh rrezikues, duke kontribuar në rreth 15% të rasteve të kancerit të shmangshëm. Infeksionet renditen të dytat me 10%, ndërsa përdorimi i alkoolit përbën rreth 3% të rasteve.
Kanceret e mushkërive, stomakut dhe qafës së mitrës janë ndër më të përhapurit që mund të ishin parandaluar, duke përfaqësuar pothuajse gjysmën e rasteve të shmangshme. Tek gratë, infeksionet – veçanërisht papillomavirusi njerëzor (HPV) luajnë një rol vendimtar, sidomos në zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës.
Nga 9.2 milionë raste të reja të kancerit tek gratë, rreth 30% u vlerësuan si të evitueshme. Rajonet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, si Afrika Sub-Sahariane, shënojnë incidencën më të lartë të këtyre rasteve, kryesisht për shkak të mungesës së vaksinimit dhe aksesit të kufizuar në shërbime shëndetësore.
Ndërkohë, në vendet me të ardhura të larta, përfshirë Evropën dhe Amerikën e Veriut, pirja e duhanit është faktori dominues si tek gratë ashtu edhe tek burrat. Tek meshkujt, duhani është përgjegjës për gati një të katërtën e rasteve të kancerit të parandalueshme në nivel global.
Studiuesit theksojnë se këto të dhëna mund të ndihmojnë në ndërtimin e politikave shëndetësore më të targetuara, duke u fokusuar te faktorët kryesorë të rrezikut në secilin rajon dhe duke rritur efektivitetin e strategjive parandaluese.

