Një skandal i pazakontë ka shpërthyer gjatë një festivali të bukurisë për deve në Oman, ku 20 kafshë janë skualifikuar nga gara pasi kontrollet zbuluan se u ishin bërë ndërhyrje estetike për të përmirësuar pamjen e tyre.
Sipas organizatorëve, disa pronarë kishin përdorur metoda të ndryshme kozmetike për t’i bërë devetë të duken më tërheqëse në konkurs. Mes ndërhyrjeve të zbuluara ishin injeksione me acid hialuronik për zmadhimin e buzëve, përdorimi i Botox-it për ndryshimin e shprehjes së fytyrës, si dhe implante silikoni për formësimin e hundës dhe të gungës karakteristike.
Autoritetet kanë paralajmëruar masa të rrepta ndaj shkelësve dhe kanë theksuar se kontrollet veterinare do të forcohen në bashkëpunim me federatat e garave me deve. Qëllimi është ruajtja e integritetit të këtyre konkurseve, ku vlerësimi bazohet në elementë si cilësia e qimeve, gjatësia dhe simetria e qafës, tiparet e kokës dhe forma e gungës. Raste të ngjashme janë regjistruar edhe në Arabia Saudite, veçanërisht gjatë King Abdulaziz Camel Festival, ku dhjetëra deve janë skualifikuar vitet e fundit për ndërhyrje estetike.
Këto festivale të bukurisë për deve janë ndër ngjarjet më të mëdha në rajon dhe çmimet mund të arrijnë deri në 66 milionë dollarë, çka e bën konkurrencën shumë të fortë mes pronarëve. Megjithatë, veterinerët dhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve paralajmërojnë se procedura të tilla mund të kenë pasoja serioze për shëndetin e kafshëve.

