Shqipëria po përjeton një nga ndryshimet më të shpejta demografike në kontinent. Sipas të dhënave më të fundit nga Eurostat për vitin 2025, mosha mediane e popullsisë në vend ka arritur në 44.3 vjeç, shumë pranë mesatares europiane prej 44.9 vitesh.
Vetëm një dekadë më parë, në vitin 2015, Shqipëria ishte ndër vendet më të reja në Europë, me një moshë mediane prej 34.7 vitesh. Kjo do të thotë se brenda 10 vitesh, popullsia është plakur me plot 9.6 vite, ritmi më i lartë në kontinent dhe rreth pesë herë më i shpejtë se mesatarja europiane. Ky transformim i shpejtë ka bërë që Shqipëria të humbasë avantazhin e saj demografik. Sot, vendi ka një moshë mesatare të ngjashme me disa shtete të Europës Qendrore dhe rezulton edhe më i plakur se fqinjët në Ballkanin Perëndimor.
Ekspertët paralajmërojnë se pasojat mund të jenë të rënda: më pak fuqi punëtore, presion mbi pensionet dhe sistemin shëndetësor, si dhe rrezik për ngadalësim të rritjes ekonomike. Nëse nuk frenohen emigrimi i të rinjve dhe rënia e lindshmërisë, plakja e shpejtë pritet të bëhet sfida kryesore e zhvillimit të vendit në dekadat e ardhshme.

