Një situatë e tensionuar është regjistruar në emisionin Top Story, ku debati mes të ftuarve ka kaluar në përplasje personale, duke kulmuar me largimin nga studio të Alfred Lela.
Gjithçka nisi gjatë një diskutimi mbi çështjen e IPARD-it, ku Lela e cilësoi temën si të rëndësishme për fermerët shqiptarë. Moderatorja dhe njëkohësisht autore e emisionit, Grida Duma, e kundërshtoi menjëherë këtë qëndrim, duke e quajtur diskutimin krejt pa lidhje.
Debati u përshkallëzua shpejt, me tone të ashpra dhe akuza të ndërsjella, duke kaluar nga argumentet në replika personale. Situata arriti kulmin kur Duma i kërkoi hapur Lelës të largohej nga studio për shkak të asaj që ajo e konsideroi mungesë etike në komunikim.
Pas shkëmbimit të fortë të fjalëve, Alfred Lela u largua nga emisioni, duke lënë pas një nga momentet më të tensionuara të transmetuara së fundmi në ekranet televizive shqiptare. Ngjarja ka bërë menjëherë xhiron e rrjeteve sociale, ku ndjekësit anë ndarë në qëndrime të ndryshme lidhur me situatën dhe mënyrën se si u menaxhua debati në studio.

