Pas prime-it të mbrëmshëm të Big Brother VIP Kosova, ku u diskutua gjerësisht reagimi i dajës të Elijonës, ka ardhur një tjetër reagim nga daja i saj, i cili ditë më parë kishte shkaktuar reagime të forta në rrjet.
Kujtojmë se në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai deklaroi se rrëfimi i Elijonës ishte i pavërtetë, duke theksuar se ishte lënë jashtë një detaj i rëndë, dhuna që, sipas tij, babai i Elijonës kishte ushtruar ndaj nënës së saj. Këto deklarata ndezën debate të shumta dhe u reflektuan edhe gjatë prime-it. Gjatë diskutimit live, vetë Elijona reagoi me qetësi, duke u shprehur se nuk dëshiron të nxjerrë keq asnjë anëtar të familjes dhe se qëllimi i saj nuk ka qenë të dëmtojë askënd, por të ndajë një përvojë personale.
Megjithatë, pas përfundimit të prime-it, daja i saj ka reaguar sërish. Këtë herë, ai ka deklaruar se llogaria e tij në Facebook është vjedhur një ditë më parë, duke lënë të kuptohet se disa nga postimet nuk janë bërë prej tij. Në të njëjtën deklaratë, ai i ka uruar Elijonës fitore, një veprim që ka shtuar edhe më shumë konfuzion dhe diskutime mes ndjekësve.

