Edhe këtë të enjte, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve atmosferike të paqëndrueshme, duke sjellë një mot të luhatshëm në pjesën më të madhe të territorit. Sipas parashikimeve, dita do të karakterizohet nga alternime kthjellimesh të shkurtra me vranësira mesatare dhe herë pas here të dendura.
Në intervale të caktuara kohore priten reshje shiu të dobëta, ndërsa në disa zona, kryesisht në perëndim të vendit, reshjet mund të shfaqen në formë shtrëngatash lokale me intensitet mesatar. Fenomenet do të jenë më të theksuara gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.
Në zonat malore, veçanërisht në verilindje dhe juglindje, priten reshje bore me intensitet të ulët, të cilat mund të krijojnë vështirësi të lehta në qarkullimin rrugor, sidomos në akset malore.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi juglindje-jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa në zonat malore, lugina dhe përgjatë bregdetit ajo mund të forcohet herë pas here, duke arritur deri në 15 m/s.
Në det, valëzimi do të jetë mesatar, nga forca 2 deri në 4 ballë. Qytetarët dhe lundruesit këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat ku reshjet dhe era pritet të jenë më intensive.

