Në një bisedë të sinqertë me Stenaldon, Luiz Ejlli ka ndarë për herë të parë publikisht një kapitull shumë të vështirë të jetës së tij, duke folur hapur për momentet kur kishte humbur shpresën dhe besimin tek e ardhmja.
Këngëtari rrëfen se rreth një vit para se të bëhej baba, ndodhej në një gjendje të rëndë emocionale. Në moshën 37-vjeçare, ai ndiente se jeta nuk po i ofronte atë që kishte ëndërruar: një familje, rolin e prindit dhe ndjesinë për të qenë shembull për dikë. Kjo e kishte zhytur në një boshllëk të thellë shpirtëror.
Luizi tregon se kjo periudhë u shoqërua me izolim dhe vetmi ekstreme, të cilën e përshkruan si përvojën më të vështirë që ka kaluar ndonjëherë. Edhe pse me kalimin e kohës u mësua me të qenit vetëm, kjo nuk e lehtësoi dhimbjen, përkundrazi, e çoi drejt një gjendjeje depresive dhe stresi të vazhdueshëm.
Në rrëfimin e tij, ai pranon se kishte tentuar çdo mënyrë për të dalë nga errësira emocionale, përfshirë edhe veprime që sot i konsideron të gabuara. Luizi zbulon se në një moment shumë të rëndë kishte menduar edhe për t’i dhënë fund jetës, duke e cilësuar atë periudhë si pikën më të ulët të ekzistencës së tij.

