Fjolla Morina pritet të vijë me një rrëfim të fortë dhe emocional në një intervistë me Meriton Mjekiqi, ku do të flasë hapur për periudhat më të vështira të jetës së saj. Në promon e publikuar, këngëtarja ndalet te disa nga momentet më delikate që ka përjetuar ndër vite, duke përfshirë eksperiencën në burg, betejën me depresionin dhe sfidat personale që kanë lënë gjurmë të thella në jetën e saj.
“Unë e kam kaluar një fazë shumë të rëndë, me disa gjëra jo të mira… ishte një depresion shumë i thellë”, shprehet ajo, duke lënë të kuptohet se intervista do të zbulojë detaje të panjohura më parë për publikun. Artistja thekson gjithashtu se, ndryshe nga perceptimi publik, ajo nuk ka kërkuar kurrë të jetë pjesë e skandaleve, por i konsideron ato si një periudhë të vështirë që e ka kaluar me shumë sakrifica. “Kurrë nuk kam dashur të bëj skandale. Është një eksperiencë e keqe e imja, të cilën e kam tejkaluar me shumë vështirësi”, shton Fjolla Morina. Ngjarjet për të cilat ajo flet i përkasin disa viteve më parë, një periudhë që përkoi edhe me ndryshime të mëdha në jetën e saj personale, përfshirë martesën me Fisnik Syla.
Përveç kësaj, Fjolla do të ndajë edhe përvojën e saj në Big Brother VIP Kosova, duke treguar më shumë rreth mënyrës si e ka përjetuar këtë eksperiencë dhe ndikimin që ka pasur në të. Intervista pritet të sjellë një anë më të ndjeshme dhe njerëzore të artistes, larg imazhit që shpesh është krijuar në publik.

