Intervista e shumëkomentuar e reperes Loredana Zefi në podcastin Mirëmbrëma Yje, e moderuar nga Arbana Osmani, është zhdukur papritur nga kanali zyrtar në YouTube.
Episodi kishte marrë vëmendje të madhe për deklaratat e artistes rreth marrëdhënies së saj me ish-partnerin Mozzik, por aktualisht nuk gjendet më online dhe nuk ka asnjë reagim zyrtar mbi arsyet e heqjes. Largimi i videos ka nxitur menjëherë diskutime në rrjetet sociale, ku fansat kanë shprehur habi dhe kuriozitet për atë që mund të ketë ndodhur pas kuintave. Megjithatë, disa fragmente të intervistës vijojnë të jenë ende të publikuara në profilin e Arbana Osmanit në Instagram, përmes “reels” dhe fotografive nga biseda.
Intervista ishte realizuar pak kohë pas publikimit të një projekti muzikor nga Mozzik, i cili trajtonte tema personale dhe solli reagime të shumta publike. Në bisedë, Loredana kishte treguar se për një kohë të gjatë kishte zgjedhur të heshtte për hir të vajzës së tyre, Hanës, por situata kishte ndryshuar pas publikimit të këngës, pasi sipas saj kjo kishte ndikuar emocionalisht tek e vogla. Deri tani, mbetet e paqartë nëse episodi do të rikthehet sërish online apo nëse është hequr përfundimisht.

