Eliminimi i Akil Varfi nga Ferma VIP 3 vazhdon të mbetet një nga momentet më të komentuara të këtij sezoni, ndërsa aktori ka reaguar publikisht pas largimit nga gara. Ai u eliminua më 7 prill, pas një televotimi të fortë përballë konkurrentëve të tjerë, në një natë që u shoqërua me tensione që në momentet e para. Situata u ndez kur një prej banorëve u shpall i shpëtuari i parë, çka bëri që aktori të shprehej se e kishte marrë mesazhin dhe ishte i gatshëm të largohej.
Megjithatë, ai vendosi të vazhdonte sfidën deri në fund, madje në një moment vendimtar sakrifikoi në lojë për të favorizuar një tjetër konkurrente. Pavarësisht kësaj, ishte vota e publikut që vulosi përfundimisht largimin e tij nga formati. Por reagimi i tij nuk mungoi edhe pas daljes nga spektakli. Vetëm pak orë para “Prime”-it të radhës, Akil Varfi publikoi një mesazh në rrjetet sociale, ku shkroi: “Meqë krejt populli e ka kuptu padrejtësinë, s’po flas hiç”.
Me këtë deklaratë, ai lë të kuptohet se ndihet i penalizuar nga mënyra se si u mbyll rrugëtimi i tij në Ferma VIP 3, duke rikthyer sërish debatin në rrjet mbi drejtësinë e televotimit dhe vendimet e marra gjatë spektaklit. Ndërkohë, reagimet e publikut kanë qenë të shumta, me ndjekës që ndahen mes mbështetjes për aktorin dhe atyre që e konsiderojnë eliminimin pjesë të lojës.

