E ftuar në “Big Brother Radio” në Top Albania Radio, Rabea Shahini, bashkëshortja e Mirit, ka ndarë detaje intime nga jeta familjare dhe përjetimet e saj gjatë qëndrimit të këngëtarit në “Big Brother VIP”.
Rabea foli hapur për raportin e Mirit me banorët, debatet brenda shtëpisë dhe ndikimin emocional që kjo eksperiencë ka pasur tek familja jashtë. Një nga momentet më prekëse të intervistës ishte surpriza e vajzës së tyre, Artisja, e cila preku jo vetëm Mirin, por edhe publikun.
“Ajo foli sinqerisht, ashtu siç ndjen një fëmijë. Tha fjalët që kishte në zemër. U gëzua shumë që pa të atin, por u mërzit sepse ai mbeti ende në shtëpi. Kur u ndanë, qau shumë dhe e kishte të vështirë ta pranonte”, tregoi Rabea.
Sipas saj, Miri është një njeri i lidhur fort me familjen dhe çdo reagim i tij buron nga ndjenjat e forta që ka për njerëzit e tij më të dashur.
Gjatë intervistës, Rabea ndau edhe historinë e njohjes me Mirin, një histori që nisi larg Shqipërisë, por që u kthye shpejt në një lidhje serioze.
“Kur u njohëm, flisnim anglisht. Shqipen e kam mësuar vetë me kalimin e kohës. Kur ke një partner nga një vend tjetër, është normale të përpiqesh të përshtatesh”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse mes tyre pati kimi që në takimin e parë, Rabea nuk ngurroi:
“Po, ishte menjëherë. Jetoja në Gjermani dhe shkova në një dasmë ku ishte i ftuar edhe Miri. Sapo e pashë, pyeta kush ishte. Më dukej shumë i bukur. Aty u prezantuam.”
Ajo tregoi se fillimisht nuk e njihte aspak anën artistike të Mirit.
“Më tha se ishte këngëtar dhe më sugjeroi të kërkoja ‘West Side Family’ në YouTube. Kënga ‘Jehona’ më preku menjëherë dhe mbeti e veçantë për mua. Ishte fillimi i gjithçkaje.”

