Më 10 shkurt 2026, duke filluar nga ora 19:30, skena e Operës dhe Baletit Kombëtar në Shkup do të presë një ngjarje të veçantë artistike: shfaqjen e operës së parë kosovare, “Goca e Kaçanikut”.
Vepra monumentale e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, me regji të Nikolin Gurakuqit, do të interpretohet nga Solistët, Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës. Ky produksion vjen si një dëshmi e fuqishme e traditës dhe identitetit kulturor kosovar, duke sjellë në Shkup emocion, pasion dhe art të nivelit të lartë.
Kjo mbrëmje pritet të jetë një festë e vërtetë e operës shqiptare, duke i dhuruar publikut kryeqytetas një përjetim të rrallë artistik dhe një takim të veçantë me trashëgiminë muzikore të Kosovës.

