Princi Harry ka ndarë një nga rrëfimet më të ndjera të jetës së tij, duke folur hapur për ndikimin e thellë që pati humbja e nënës së tij, Princesha Diana, në rrugëtimin personal dhe raportin me rolin mbretëror.
Gjatë një fjalimi emocional në samitin “InterEdge Summit” në Melbourne, ku ishte i ftuar si folës kryesor në një aktivitet për shëndetin mendor, Duka i Sussex-it ndau përjetime të forta mbi pikëllimin dhe presionin e jetës publike. “Pikëllimi nuk zhduket sepse e injorojmë. Të përjetosh këtë si fëmijë, nën vëmendje të vazhdueshme, mund të të thyejë,” u shpreh ai, duke përshkruar ndjesinë e rritjes nën syrin e publikut pas tragjedisë familjare.
Ai pranoi se për vite me radhë është ndjerë i humbur dhe i mbingarkuar emocionalisht, duke theksuar se nuk e kishte dëshiruar rolin mbretëror që iu imponua pas vdekjes së nënës së tij. “Nuk e doja këtë jetë, nuk e doja këtë rol… kjo është ajo që i mori jetën nënës sime,” tha ai, duke shtuar se për një kohë të gjatë është përpjekur të shmangë gjithçka që lidhej me atë realitet.
Megjithatë, me kalimin e viteve, perspektiva e tij ka ndryshuar. Ai tregoi se ka filluar ta shohë platformën që ka si një mundësi për të ndikuar pozitivisht në botë dhe për të vijuar trashëgiminë e Princesha Diana. “Sot pyes veten: si mund ta përdor këtë për të bërë ndryshim? Çfarë do të donte nëna ime të bëja?” përfundoi ai, duke lënë një mesazh reflektues mbi forcën dhe qëllimin përtej dhimbjes.

