Shtëpia e superyllit të muzikës pop Rihanna në Beverly Hills është qëlluar me armë zjarri, sipas autoriteteve lokale. Oficerët e Los Angeles Police Department iu përgjigjën një telefonate për të shtëna me armë rreth orës 13:15 sipas kohës lokale të dielën. Në vendngjarje u gjetën disa gëzhoja, ndërsa një person i dyshuar është ndaluar nga policia.
Sipas raportimeve, një grua rreth të 30-ave ndaloi me makinë jashtë rezidencës dhe qëlloi disa herë drejt pronës përpara se të largohej me shpejtësi. Më vonë, automjeti i saj u gjet rreth 12 kilometra larg dhe ajo u vu në paraburgim. Identiteti i saj nuk është bërë ende publik. Nga incidenti nuk raportohet për të lënduar. Burime për Los Angeles Times kanë bërë me dije se Rihanna ndodhej në shtëpi në momentin e ngjarjes.
Artistja, e cila së fundmi u bë nënë për herë të tretë me partnerin e saj A$AP Rocky, është një nga emrat më të mëdhenj të muzikës pop. Përveç karrierës muzikore, ajo ka ndërtuar edhe një perandori biznesi me markën e kozmetikës Fenty Beauty. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur motivin e sulmit.

