Në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosova, Monumenti NEWBORN në Prishtinë është mbuluar me rreth 5,000 emblema magnetike të UÇK-së, në një veprim simbolik të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.
Sipas organizatorëve, iniciativa synon të shprehë reagimin qytetar ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me Gjykatën Speciale dhe vendimet për ish-krerët e UÇK-së. Një natë më parë, monumenti ishte rrethuar edhe me struktura metalike, duke krijuar imazhin simbolik të një burgu. Aktivistët theksuan se aksioni kishte si qëllim të rikujtojë sakrificën dhe rolin historik të ish-luftëtarëve në rrugëtimin drejt lirisë, si dhe të mbajë gjallë kujtesën kolektive në një ditë me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës.

