Thashethemet për një martesë të mundshme mes Dua Lipës dhe aktorit britanik Callum Turner po qarkullojnë me shpejtësi në rrjetet sociale. Gjithçka nisi pasi në TikTok u publikua një video ku çifti shihet në një restorant, i shoqëruar nga një organizatore e njohur dasmash, duke nxitur menjëherë aludimet për një hap të ri në marrëdhënien e tyre.
Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga këngëtarja apo aktori. Burime jozyrtare për mediat rozë flasin për një ceremoni të mundshme në pranverë, por gjithçka mbetet në nivel spekulimesh. Sipas raportimeve, dasma mund të zhvillohet në muajin maj në Cernobbio, pranë liqenit të Komos në Itali një destinacion luksoz, i preferuar nga personazhe të famshëm për evente private dhe elegante. Italia nuk do të ishte një zgjedhje rastësore, pasi Dua Lipa e ka vizituar shpesh dhe ka treguar vazhdimisht dashuri për këtë vend.
Në qendër të zërave është edhe Alessandra Grillo, organizatorja italiane e eventeve luksoze që u pa në video me çiftin. Ajo njihet për organizimin e dasmave të figurave të njohura të showbiz-it europian, çka ka shtuar edhe më shumë dyshimet. Për momentin, gjithçka mbetet në kuadër të thashethemeve, ndërsa fansat presin me kuriozitet nëse çifti do ta konfirmojë apo jo një nga lajmet më të përfolura të momentit.

