Poetja dhe njëkohësisht banore e Ferma VIP, Mimoza Ahmeti, ka ndarë një histori të ndjerë nga jeta e saj personale, duke zbuluar detaje intime për marrëdhënien me partnerin e saj.
Gjatë një bisede të sinqertë me banorët, ajo tregoi se partneri i saj është me origjinë nga Polonia dhe disa vite më i ri në moshë. Ahmeti rrëfeu sakrificat që ka bërë për të, duke theksuar se madje ka dhënë shtëpinë e saj me qira për të siguruar të ardhura shtesë në mbështetje të tij.
“Është një sakrificë që e kam bërë për dashurinë. Ai s’ma ka shpërblyer fare, është shumë i egër,” – u shpreh ajo, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia mes tyre nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ajo zbuloi gjithashtu edhe mënyrën se si janë njohur. Sipas saj, partneri kishte qenë për vite me radhë një ndjekës i saj në Facebook dhe i shkruante vazhdimisht, edhe pse nuk dinte asnjë fjalë shqip. Përmes përkthimeve automatike, ai kishte arritur të kuptonte shkrimet e saj dhe kishte ndjerë një lidhje të veçantë.
“Kur erdhi, i thashë ‘çfarë të bëj unë me ty, ti je shumë i ri’. Ai më tha: ‘më vonë do e kuptosh që jam më plak se ty’,”- tregoi Ahmeti. Pavarësisht sfidave dhe vështirësive, ajo theksoi se lidhja e tyre është e fortë dhe e mbushur me kujtime, duke e bërë të qartë se ndjenjat që ka për të janë arsyeja pse nuk mund të shkëputet nga kjo marrëdhënie.

