Edicioni i parë i X Factor Kids Albania uli siparin me një finale spektakolare, të mbushur me emocione të forta, performanca të jashtëzakonshme dhe momente që do të mbeten gjatë në kujtesën e publikut. Fituesja e madhe e këtij edicioni u shpall Eden Dani, e cila arriti të rrëmbejë çmimin kryesor pas një rrugëtimi të suksesshëm nën drejtimin e mentorit Pirro Çako.
Në natën finale, tre finalistët Eden Dani, Kejsi Sinani dhe Aleks Gjonaj , sollën performanca mbresëlënëse, të shoqëruara me skenografi të kuruar në detaje, duke krijuar një atmosferë të denjë për një spektakël të madh televiziv. Një nga momentet kulmore të mbrëmjes ishte prania e artistit me famë ndërkombëtare Ermal Meta, i cili u rikthye posaçërisht për këtë finale. Ai iu bashkua jurisë, vlerësoi performancat e finalistëve dhe emocionoi publikun me një interpretim të veçantë në skenë.
Spektakli solli gjithashtu performanca të veçanta nga anëtarët e jurisë, ku Fifi dhe Aleks Gjonaj ndezën skenën me energji, ndërsa Bojken Lako dhe Kejsi Sinani surprizuan me një interpretim unik. Në një formulë ndryshe nga zakonisht, këtë edicion u ndanë tre çmime: përveç fitores së Eden Dani, Aleks Gjonaj u vlerësua me “Best Performer”, ndërsa Kejsi Sinani mori çmimin “Best Vocal”.

