Renditja më e fundit e Forbes për miliarderët globalë tregon se, edhe pse burrat vazhdojnë të dominojnë listën, numri i grave super të pasura po rritet gradualisht nga viti në vit. Sipas të dhënave, në vitin aktual janë 481 gra mes 3,428 miliarderëve në botë, duke përbërë rreth 14% të totalit. Krahasuar me një vit më parë, kjo shifër është në rritje, duke reflektuar një ndryshim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në balancën ekonomike globale.
Kush kryeson listën?
Në vendin e parë për të dytin vit radhazi renditet Alice Walton, trashëgimtarja e gjigantit të shitjeve Walmart, me një pasuri që vlerësohet rreth 134 miliardë dollarë.
Pas saj vjen Françoise Bettencourt Meyers, trashëgimtarja e kompanisë kozmetike L’Oréal, me rreth 100 miliardë dollarë. Në vendin e tretë renditet Julia Koch, e veja e industrialistit David Koch, me mbi 81 miliardë dollarë pasuri. Lista vijon me Iris Fontbona në vendin e katërt dhe Jacqueline Mars në vendin e pestë, duke kompletuar pesëshen e grave më të pasura në botë.
Gratë që e kanë ndërtuar vetë pasurinë
Ndër emrat më interesantë në listë është Rafaela Aponte-Diamant, e cila renditet në vendin e gjashtë dhe është gruaja më e pasur “self-made”. Ajo është pjesë e një grupi gjithnjë në rritje të grave që kanë ndërtuar vetë pasurinë e tyre, që këtë vit arrin në 122 miliardere.
Emra të njohur nga industria e muzikës dhe biznesit
Lista e këtij viti përfshin edhe figura të njohura globale që kanë ndërtuar pasurinë përmes karrierës së tyre, si Beyoncé, Rihanna dhe Taylor Swift, të cilat tashmë janë pjesë e klubit të miliardereve. Një tjetër emër që bie në sy është Luana Lopes Lara, e cila në moshë shumë të re ka arritur të bëhet një nga gratë më të pasura self-made në botë. Ndryshimet në renditje Ndërkohë, këtë vit disa figura të njohura si Melinda French Gates dhe Marilyn Simons nuk janë më pjesë e dhjetëshes së parë, duke i lënë vendin emrave të rinj në listë.
Rritja e numrit të grave miliardere sinjalizon një ndryshim gradual në strukturën e pasurisë globale. Megjithatë, hendeku gjinor mbetet ende i theksuar, duke treguar se rruga drejt barazisë ekonomike është ende e gjatë.

