Aktorja e njohur turke Hande Erçel është përjashtuar nga çdo dyshim pas publikimit të rezultateve zyrtare të analizave, të cilat konfirmojnë se nuk ka përdorur substanca të ndaluara. Hetimi, i zhvilluar nga Kryeprokuroria Publike e Stambollit, përfshinte disa figura të njohura të botës së artit dhe medias, në kuadër të një operacioni më të gjerë kundër narkotikëve. Si pjesë e procedurës, të dyshuarve iu nënshtruan analizave të detajuara laboratorike, përfshirë mostra gjaku dhe flokësh.
Sapo u përmend emri i saj në këtë çështje, Erçel u kthye menjëherë në Turqi për t’u përballur me autoritetet dhe për të dhënë deklarimin e saj. Ajo mohoi kategorikisht çdo akuzë, duke theksuar se nuk ka përdorur kurrë lëndë narkotike. Rezultatet përfundimtare të ekspertizës mjeko-ligjore konfirmuan deklaratat e aktores, duke dalë plotësisht negative dhe duke rrëzuar çdo pretendim të mëparshëm.
Megjithatë, aktorja ka shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si lajmet u përhapën në media, duke theksuar se imazhi i saj publik u dëmtua para se të dilnin faktet zyrtare. Ndërkohë, autoritetet bëjnë të ditur se hetimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë operacion vijojnë ende.

