Një nga emrat më të mëdhenj të modës botërore, John Galliano, po rikthehet në qendër të vëmendjes me një lëvizje të papritur: një partneritet dyvjeçar me ZARA. Ky bashkëpunim nuk është një “collab” i zakonshëm, por një eksperiment që bashkon artin e haute couture me fuqinë e modës masive. Ndryshe nga rolet tradicionale, Galliano nuk do të jetë drejtor kreativ i ZARA, por do të punojë mbi koleksione sezonale, duke marrë pjesë ekzistuese të brandit dhe duke i dekonstruktuar për t’i rindërtuar në krijime të reja. Një qasje që përputhet plotësisht me stilin e tij artistik dhe eksperimental.

Ky bashkëpunim shënon një moment të rëndësishëm për industrinë, pasi për herë të parë një dizajner i lidhur me luksin ekstrem dhe pasarelën teatrale bashkohet me një nga markat më të mëdha të modës së përditshme. Është një përplasje mes dy botëve: elitare dhe avangarde nga njëra anë, dhe e shpejtë, globale e aksesueshme nga ana tjetër.

Për të kuptuar rëndësinë e këtij zhvillimi, mjafton të kujtojmë rrugëtimin e John Galliano. Ai u bë i njohur që në fillimet e tij në Central Saint Martins dhe më pas bëri histori në Givenchy dhe veçanërisht në Dior, ku krijoi disa nga momentet më ikonike të modës moderne. Në Dior, ai transformoi pasarelat në spektakle artistike, duke sjellë narrativa të forta dhe imazhe që mbeten edhe sot pjesë e kulturës pop. Nga koleksionet teatrale te aksesorët ikonë, ndikimi i tij ishte i jashtëzakonshëm. Pas një periudhe të vështirë në vitin 2011, Galliano arriti një rikthim të fortë në industri, duke dëshmuar se kreativiteti i tij mbetet i pakrahasueshëm.

Tani, me këtë hap drejt ZARA, ai pritet të sjellë një frymë të re që mund të ndikojë jo vetëm në stilin e brandit, por edhe në mënyrën si konceptohet moda masive në të ardhmen.

