Një debat i fortë ka shpërthyer në shtëpinë e Big Brother VIP Albania mes banorëve Miri dhe Mateo. Përplasja erdhi pas deklaratës që Miri bëri gjatë Prime-it të kaluar në dhomën e rrëfimit, ku u shpreh se kishte një pëlqim për Selin dhe se e vlerësonte për lojën që po bën në shtëpi. Kjo deklaratë duket se nuk është pritur mirë nga Mateo, i cili gjatë një bisede në oborr vendosi ta përballë me pyetje të drejtpërdrejta.
Gjatë debatit, Mateo e pyeti Mirin nëse do të ishte i gatshëm të ndahej nga bashkëshortja e tij për Selinën, duke e çuar diskutimin në një tjetër nivel tensioni. Pyetja e tij krijoi menjëherë reagim nga Miri, i cili u shpreh se jeta e tij bashkëshortore nuk ka lidhje me diskutimin brenda shtëpisë. Debati u ashpërsua edhe më shumë kur në bisedë u përfshi edhe Juela, e cila akuzoi Mateon se po përpiqej të provokonte dhe të imitonte lojën e Rogert.
Situata mes banorëve u tensionua ndjeshëm, ndërsa Miri reagoi ashpër ndaj pyetjeve që përfshinin bashkëshorten e tij, duke i kërkuar Mateos të mos e përmendte jetën e tij personale. Debati është komentuar gjerësisht edhe në rrjetet sociale, ku ndjekësit e spektaklit kanë ndarë mendime të ndryshme për mënyrën se si u zhvillua diskutimi.

